NGA VUAJTJET E JETËS UNË MË E FORTË U BËRA

Një poezi gjigante, nga shpirti, për dhimbjen, lotët, betejat dhe forcën e një zemre që nuk u dorëzua kurrë.

Unë nuk linda e fortë, nuk linda me zemër prej guri, nuk linda duke ditur si të përballoja dhimbjen, as duke ditur si të buzëqeshja kur shpirti më bërtiste nga brenda.

Jeta më mësoi të jem e fortë, por jo me fjalë, jo me libra, jo me këshilla të njerëzve, por me plagë që nuk dukeshin, me net që nuk kishin mëngjes, me lot që i fshija fshehurazi, dhe me dhimbje që nuk ia tregova askujt.

Sa herë u rrëzova, sa herë mendova se gjithçka mori fund, sa herë zemra më tha: «Nuk mundem më, jam lodhur!» Por shpirti im, edhe i copëtuar, gjente një arsye për t'u ngritur përsëri.

Nga vuajtjet e jetës unë mëu fortë u bëra, nga lotët e mi një lumë force krijova, nga plagët e zemrës mësova të jetoj, nga njerëzit që më lanë mësova të qëndroj.

Nuk ishte e lehtë të ecja përpara, kur pas shpine lija kujtime që më vrisnin. Nuk ishte e lehtë të besoja përsëri, kur ata që i desha më zhgënjyen. Nuk ishte e lehtë të buzëqeshja, kur brenda meje kishte stuhi, por unë nuk doja t'ia dorëzoja jetën as dhimbjes, as fatit, as vetmisë.

Kam kaluar rrugë që askush nuk i di, kam mbajtur pesha që askush nuk i pa, kam luftuar beteja pa dëshmitarë, kam qarë në heshtje, pa kërkuar mëshirë.

Dhe kur më pyesin: «Si ia dole të bëheshe kaq e fortë?» Unë nuk kam shumë për të thënë. Vetëm ngre sytë nga qielli dhe përgjigjem:

Sepse jeta më goditi, por nuk më mposhti! Sepse më rrëzoi, por nuk më la përgjithmonë në tokë! Sepse më mori shumë gjëra, por nuk arriti të ma marrë shpirtin!

Kam mësuar se jo çdo njeri që të përqafon të do, jo çdo njeri që të buzëqesh është i sinqertë, jo çdo dorë që të zgjatet të ndihmon, dhe jo çdo premtim që dëgjon bëhet realitet.

Kam mësuar të mos pres shumë, të mos kërkoj dashuri aty ku nuk ka, të mos trokas në dyer që më janë mbyllur, dhe të mos lutem për një vend në zemrat e atyre që nuk më vlerësojnë.

Sepse unë kam një zemër, një zemër që edhe pse është plagosur, ende di të dojë, ende di të falë, ende di të ëndërrojë, ende di të besojë në ditë më të mira.

Ndoshta kam ndryshuar, ndoshta nuk qesh më si dikur, ndoshta nuk flas më për çdo gjë që më dhemb, ndoshta jam bërë më e heshtur, por kjo nuk do të thotë se jam dorëzuar.

Do të thotë se kam kuptuar jetën!

Sot nuk jam ajo që isha dje. Sot kam plagë, por kam edhe përvojë. Kam kujtime, por kam edhe shpresë. Kam kaluar humbje, por nuk kam humbur veten. Kam njohur tradhtinë, por nuk jam bërë tradhetare Kam njohur dhimbjen, por nuk dua t'ua shkaktoj të tjerëve.

Dhe nëse një ditë do të më shihni duke buzëqeshur, mos mendoni se jeta ime ka qenë e lehtë. Ajo buzëqeshje ka një histori të gjatë, ka net pa gjumë, ka lot të fshehur, ka mijëra arsye për të qarë, por ka edhe një zemër që vendosi të jetojë.

Unë nuk kërkoj të më vijë keq askujt për mua. Nuk kërkoj duartrokitje për vuajtjet e mia. Nuk kërkoj që të gjithë ta kuptojnë rrugën time. Mjafton që unë e di çfarë kam kaluar, mjafton që Zoti e di sa herë jam lutur në heshtje, dhe mjafton që sot jam ende në këmbë.

Le të flasin ata që nuk e dinë historinë time, le të gjykojnë ata që nuk i kanë veshur këpucët e mia, le të largohen ata që nuk dinë të qëndrojnë. Unë nuk kam më kohë të humbas veten duke u përpjekur t'u pëlqej të gjithëve.

Sepse nga vuajtjet e jetës unë më e fortë u bëra, nga errësira dritën time e kërkova, nga çdo humbje një mësim fitova, dhe nga çdo rrëzim përsëri u ngrita!

Një ditë do të kthehem pas, do t'i kujtoj të gjitha ato ditë të vështira, do t'i kujtoj njerëzit që më lanë, fjalët që më lënduan, lotët që askush nuk i pa, dhe do të buzëqesh me zemrën plot krenari.

Sepse nuk fitova duke mos vuajtur, fitova duke mos u dorëzuar!