…Le të rrokulliset deri në fund “Guri” i shkulur. Esenë përkujtimore “Një kupë nektar nga kopshti i dashurisë”, mbi vëllimin poetik Fis me detet, të poetit Qazim Shemaj, le ta mbyllim me një faqe të ndjeshme: shqipërimet e tij, vërtet të pakta, por plot nerv poetik.

Dihet: poezia është një lëndë e veçantë e “përkthyer” më parë në mendjen dhe shpirtin e autorit, e ngjeshur me figura, ritme, tinguj dhe ngjyrime që i përkasin gjuhës në të cilën është krijuar. Prandaj, përkthimi i poezisë ka qenë gjithmonë një nga sprovat më të vështira të artit të përkthimit. Mjaft studiues të letërsisë kanë menduar se poezia, në kuptimin e plotë të fjalës, nuk mund të përkthehet, sepse, në kalimin nga një gjuhë në tjetrën, diçka nga magjia e origjinalit pashmangshmërisht humbet.

Por kur përkthyesi është vetë poet, si Qazim Shemaj, ndryshon puna.

Është si me atë udhëtarin që mbërrin në destinacionin e duhur sepse është nga ai vend, i njeh rrugët dhe shtigjet, edhe kur duhet t’i përshkojë symbyllur…

Në këtë vëllim, poezitë e autorëve të huaj Qazimi nuk i quan thjesht “përkthime”. Ai i shoqëron me një përcaktim më domethënës: “Shqipërime”.

A nuk ia vlen të ndalemi pak te ky dallim?

Përkthimi synon të përcjellë nga një gjuhë në tjetrën atë që thotë teksti: kuptimin, mendimin, ngjarjen, figurën. Përkthimi ad litteram, fjalë për fjalë, i përgjigjet kryesisht pyetjes: “Çfarë thotë teksti?”

Shqipërimi, sidomos kur bëhet fjalë për poezinë, kërkon diçka më shumë: “Si mund të tingëllojë në shqip ajo që poeti ka thënë në gjuhën e vet?”

Sepse poezia nuk është vetëm kuptim. Ajo është edhe tingull, ritëm, frymë, figurë, emocion dhe muzikë e brendshme. Një varg mund të jetë përkthyer saktë në kuptim dhe, megjithatë, të mos jetë më poezi.

Këtu nis sprova e shqipërimit.

Shqipëruesi duhet të gjejë në gjuhën shqipe një fjalë, një figurë, një ritëm ose një tingëllim që t’i afrohet sa më shumë atij të origjinalit. Në këtë proces, mund të ndodhë që ai të largohet nga fjala, por nuk duhet të largohet nga shpirti i vargut. Prandaj, shqipërimi i poezisë është, deri diku, edhe një akt rikrijimi.

Dhe kur këtë e bën një poet, si Qazim Shemaj, ai e njeh nga brenda atë terren të vështirë ku përkthyesi duhet të ecë: midis besnikërisë ndaj autorit dhe lirisë që i mundëson gjuha e vet.

Ndoshta kjo është edhe arsyeja që Qazimi zgjodhi fjalën “Shqipërime”.

Ja disa prej tyre.

AFANASI FET

Pranvera

ky mëngjes, ky gazi yt,

Kjo fuqi, ky ag, kjo dritë,

Kjo blu sipër nesh,

Këto thirrma shoq më shoq,

Këto grigja, këta zogj,

Këto fjalë rrëkesh.

Kaq të mbjella, shelgje plot

Këto pika, këto lot

Dhe ky gjeth në zgjim,

Këto male këto fletë,

Këto moçka, këto bletë

Dhe kjo vërshëllimë

Dhe ky qiell pa hije kund,

Kjo ofshamë nëpër katund.

Ky gjumë me të prera,

Ky zheg shtrati mjegulltire,

Kjo këputje, këto trille,

Ja, kjo është pranvera.

ALEKSANDËR BLLOK

Dhe ja u nderën tela kitare,

Zemra përgjëron.

Kitara sa ndjen dorë ciganke,

Zë e këndon.

Dhe para korit plaku si trim,

Këmbën përplas:

Më digj të tërin me zë, me shikim

Ksjusha, o gaz!

Dhe zëra grykore, tinguj këmbane

Tutje gjëmuan;

Sikur në argjend duart zeshkane

Fort u shtrënguan.

Kllapi e çmendur kjo dashuria,

Eh, sa e prapë…

kaq e pamundur - kjo lumturia,

Pa ec e kap!

ALEKSANDËR BLLOK

Sykaltër, zoti të kish qarë,

Gjeniu i dashurisë së parë,

Mbështjellë me shira më tundon,

Si greth me helm në kokë më këndon.

Ai s’ka emër si dokudo,

Plagët e djeshme m’i zgjon t’i shoh

Dhe prapë shikoj krahë të hollë,

Dhe prapë dëgjoj tinguj grykorë,

Në sytë e saj plot kaltërsi,

Syhapur mbytem përsëri.

SERGEI ESENIN

Panja

Panjë, prapë m’u zhveshe, akull përsëri,

Krrusur nën tufan kokën ulur rri.

S’e di ç’po shikon, ti ç’po dëgjon vallë?!

A mos për shëtitje tej fshatit ke dalë?!

Duke shkuar rrugës si rojtar i pirë,

Në pirgje dëbore këmbët të kanë ngrirë.

Ah, dhe unë vetë, te miqtë gostitur,

Gjer te pragu im s’kam për të arritur.

Diku mbërthej pishën, ja shelgun takoj;

Nën tufan për verën, me ta nis këndoj;

Vetja më ngjan panjë, me rrenjë e me fletë,

Po s’jam gjetherënës, jam blerimi vetë.

Pas drurëve hutuar, eh, ç’u budallapsëm;

Si grua të huaj pushtova mështeknën.

MARINA CVETAJEVA

E putha djaloshin në kokë,

S’ia gjeta dot buzët, s’e di!

E prapë siç dihet me kohë,

Ti je e mirë dashuri!

Një çikëz verë të gëzuar

Dhe tej e hedh qyrkun, e flak,

Oh, siç është thënë e shkruar,

I çmendur do ndizesh ti, gjak.

Jo, jo, për kohën që ne patëm,

Dashuria s’u bë dot grua!

Vetë Venera, si mori sëpatën,

Shkrepëtin ashkla kudo në katua.

Në ferrin me akull e murtajë,

Me dimrin vuri kurorë,

Dashuria në krahët e saj

Do çizme të forta për borë.

Pa shih ç’krijim i adhuruar,

Ti thurma litarin, se ç’fat,

Dhe ulu sipas ritit të shkuar

Ku shtrihet vajza në shtrat.

Dhe mirupafshim vonë a herët,

Ne prapë do piqemi tok,

Kur të mësojmë që djemtë

T’i puthim më mirë se në kokë.