SPEC DJEGËS NË REDAKSINË E «HOSTENIT»

-Një kujtim nga vitet e rinisë -

Isha ende në shkollën e mesme dhe jetoja në Laç. Shkruaja fabula, epigrame e ndonjë poezi humoristike, sepse besoja se këto ishin krijimet që i përshtateshin më shumë revistës «Hosteni».

Shokët dhe shoqet e shkollës më konsideronin djalë të talentuar. Ndoshta entuziazmi i tyre më jepte edhe mua më shumë besim. Isha i ri, kisha dëshirë të shkruaja dhe, sa herë që ndonjë krijim imi botohej në revistë, e përjetoja si një ngjarje të madhe.

Kështu, një ditë vendosa të shkoja vetë në redaksinë e «Hostenit».

Nuk ishte një vizitë e zakonshme për mua. Po shkoja në një vend ku punonin njerëz që i njihja nga shkrimet e tyre, por që deri atëherë i kisha parë vetëm si emra në faqet e revistës. Redaksia ndodhej aty ku sot është një pjesë e bibliotekës, pranë lulishtes «1 Maji».

Mbërrita deri te dera dhe ndalova. Të hyja apo të mos hyja? Nuk e di sa gjatë qëndrova aty, por e mbaj mend fare mirë atë ndjesi. Zemra më rrihte fort. Sot, kur e kujtoj, mendoj se duhet të kem qenë i tëri i mbuluar nga djersët dhe me fytyrën të kuqe flakë. Kisha përgatitur në mendje shumë fjalë, por, sa më shumë afrohesha te dera, aq më tepër më dukej sikur të gjitha më ishin larguar nga kujtesa.

Më në fund mora vendimin. Ngjita shkallët.

Në krahun e djathtë ishin dy zyra të redaktorëve. Në të majtë ndodhej zyra e kryeredaktorit, Niko Nikolla, dhe një zyrë tjetër ku trajtoheshin tema të përgjithshme, karikatura e materiale të tjera.

Teksa kaloja pranë zyrës së parë, pashë derën hapur. Brenda ishte Dionis Bubani, i cili po diskutonte me dikë. E dija se Dionisi merrej me fabulat dhe poezitë humoristike. Pra, pikërisht me atë lloj krijimtarie që më kishte sjellë edhe mua deri aty.

Vazhdova drejt zyrës tjetër dhe trokita.

— Hyr!

Hapa derën dhe hyra. U afrova, zgjata dorën dhe u përpoqa të dukesha sa më i qetë.

Gaqua u ngrit në këmbë dhe ma zgjati dorën e djathtë, e cila ishte dukshëm më e shkurtër se tjetra.

— Jam Pilo Zyba, — i thashë. — Ju keni botuar disa herë disa krijime të miat modeste dhe erdha t'ju takoj nga afër.

Ai më vështroi për një çast. Nuk u lodh shumë duke shqyrtuar paraqitjen time fizike, sepse harta fizike e trupit tim ishte e vogël, se jam i shkurtër, por vuri re menjëherë gjendjen në të cilën ndodhesha.

— Jeni bërë si spec djegës! I kuq flakë!

Ula kokën. Nuk dija nëse duhej të qeshja apo të gjeja ndonjë përgjigje. Ndrojtja ime, me sa duket, ishte aq e dukshme, sa Gaqoja e kuptoi menjëherë.

Dhe, siç dinte ai, e ktheu situatën në humor.

— Ne nuk duam që ti të bëhesh i kuq si spec, — vazhdoi ai. — Duam që shkrimet që na dërgon t'i kesh me spec! Kemi diskutuar edhe me Dionisin. Shkrimet, fabulat, epigramet e tua e kanë të lartë sasinë e specit djegës!

Pastaj qeshi.

Në atë çast u ndjeva pak më mirë. Më dukej sikur kisha kaluar provën e parë, ndonëse nuk e dija se çfarë më priste më pas.

Gaqoja i foli Dionisit, i cili erdhi nga zyra tjetër. Tani ishin bërë të dy dhe shakatë vazhduan. Prania e tyre më çliroi. Nuk po qëndroja më përballë dy emrave të njohur të humorit shqiptar, por përballë dy njerëzve që dinin ta bënin një djalosh të ndrojtur të ndihej si në shtëpinë e vet.

— Eja këtu, — më tha Dionisi. — Se ke disa honorare për të marrë!

U befasova.

Honorare? Unë kisha ardhur t'i takoja, t'u shtrëngoja dorën, ndoshta të merrja ndonjë këshillë. Nuk e kisha menduar se shkrimet e mia kishin edhe një shpërblim.

Shkuam te sekretaria. Firmosa dhe mora paratë.

Nuk mund ta përshkruaj lehtë atë ndjenjë. Ishte hera e parë që po merrja një shpërblim për diçka që kisha shkruar. Nuk ishin thjesht disa para. Për mua ishin dëshmia se ajo që bëja me aq dëshirë, ajo që shkruaja në moshë të re dhe ua dërgoja redaktorëve, kishte një vlerë.

Për kohën, nuk ishin pak. Dhe unë, me ato para në xhep, u ndjeva sikur kisha arritur diçka të madhe.

Më pas dolëm për një kafe.

Këtu vjen një nga ato hollësitë që koha nuk i fshin, sado vite të kalojnë.

Pasi pimë kafen, u ngrita krejt natyrshëm për të paguar. Isha i gëzuar, ndihesha me fat që i kisha njohur nga afër dhe, me honoraret që sapo kisha marrë, e konsideroja veten jo vetëm të pasur, por edhe të aftë për të respektuar të tjerët.

Ata panë njëri-tjetrin dhe qeshën.

— Ku vete? — më thanë pothuajse njëzëri.

— Të paguaj, — u përgjigja. — Jam me fat që u njoha me ju dhe që pimë këtë kafe nga afër.

Ata u panë sërish në sy.

— Nuk qenka spec vetëm në fabula dhe epigrame, — tha Gaqoja.

— Më keq akoma! — e plotësoi Dionisi.

Dhe qeshën.

Nuk më lanë të paguaja. U ngritën vetë, paguan kafen dhe pastaj, pranë derës së hyrjes, më uruan përzemërsisht.

U largova.

Nuk e di sa gjatë vazhdova të ecja me atë gëzim brenda vetes. Di vetëm se, ndërsa kthehesha, më dukej sikur kisha fituar një botë të tërë. Kisha hyrë në redaksinë e «Hostenit» si një djalosh i ndrojtur nga Laçi dhe po largohesha me ndjesinë se Tirana më përkiste e gjitha.

Sot, pas kaq shumë vitesh, kur kujtoj atë ditë, nuk më kujtohen vetëm shkallët, zyrat, honoraret apo kafeja. Më dalin përpara dy njerëz: Gaqo Veshi dhe Dionis Bubani.

Më kujtohet mënyra se si më pritën, si e kuptuan ndrojtjen time dhe si, me dy-tri batuta, ma hoqën gjithë atë peshë që kisha mbartur deri në çastin kur trokita në derë.

Atëherë isha një djalë që ëndërronte të shkruante. Ata ishin mjeshtra të fjalës dhe të humorit, por nuk më pritën si një të panjohur që kishte ardhur të kërkonte diçka. Më pritën si një të ri që kishte nisur rrugën e vet.

Dhe, ndoshta, pikërisht kjo është arsyeja pse ai takim nuk u largua kurrë nga kujtesa ime.

Disa dyer, kur i hapim për herë të parë, nuk na çojnë vetëm në një zyrë. Na hapin një rrugë që mund të zgjasë gjithë jetën.