Një kontribut i tij për të cilin mësova tani vonë, shumë vonë. Ilia ka kontribuar në rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-SHBA.
Me Ilia Zhulatin jam njohur në shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej” në vitet 1961-1965. Vinte nga Përmeti. Ai ishte në
togën e 9-të, ndërsa unë në togën e 8-të të kompanisë të cilën e komandonte kapiten Mark Kovaçi. Ilia ishte një nga nxënësit e dalluar të kësaj shkolle.
Edhe në shkollën e bashkuar të oficerëve “Enver Hoxha” 1965-1967 rastisi të ishim bashkë në kursin e këmbësorisë.
Të dy, unë dhe Ilia ishim zevendës komandantë toge, secili në togat tona.
Ilia ishte një nga kursantët që e përfunduan shkollën me rezultate të larta.
Pësëri për rastësi, në gusht 1967, unë, Hysen Ymeri, Ilia Zhulati (këmbësorë) dhe Guximtar Godo (artilier) u emëruam në Dzb të SHP të ushtrisë sonë në Zall Herr.
E filluam karrierën në detyrën e komandantit të togës së zbulimit.
Dzb ishte një repart elitë i ushtrisë sonë. Veçanërisht ishte një repart me një ngarkesë të madhe fizike dhe psikologjike. Si gjithë kuadrot e këtij reparti edhe Ilia Zhualati u përshtat dhe e përballoi me suksese këtë ngarkesë.
Pavarësisht këtij fakti, ne të gjithë shokët e tij Ilian nuk e shihnim si një profesionist të prirur për stërvitje e demostrime të vështira me të cilat përballeshin efektivat e zbulimit. E shihnim më shumë në fusha të tjera, në fusha ku më shumë se forca fizike, ngarkesa e madhe spikatnin aspekte të punës intelektuale. Këtë bindje na e përforconte edhe fakti se Ilia ishte i pasionuar pas librave. Të gjithë lexonim, por dy prej nesh Azem Hyka dhe Ilia lexonin më shumë. Ilia lexonte më shumë literaturë historike e politike. Për këtë arsye shokët, sidomos Nesti Qirici, bënin shaka. Shpesh i drejtoheshin Profesor Ilia. Veç leximit Ilia ishte shumë i angazhuar në përvetësimin e gjuhës angleze. Sapo gjente pak kohë të lirë ai dëgjohej të lexonte a të fliste anglisht, shpesh edhe me zë të lartë.
Dhe…për një rastësi jo të mirë, për shkak të dëmtimit të shikimit gjatë një stërvitje Ilia u largua nga Dzb i SHP të ushtrisë.
Në fillim u emërua në shkollën e bashkuar të oficerëve “Enver Hoxha” në drejtim të kursit të zbulimit.
Për pak vite punoi në strukturat e Ministrisë së Brendëshme, në Drejtorinë e Dytë të saj.
Më shumë kohë ka punuar në MPJ të Shqipërisë, në shërbimin diplomatik, në përfaqësinë shqiptare në OKB.
Në këtë shënim të shkurtër për Ilian unë do ndalem në dy argumente.
Së pari, në kualifikimin e tij profesional.
-Në vitin 1973 diplomohet për gjuhën angleze në USH Tiranë.
-Në vitin 1978 fiton gradën Master në gjuhën angleze USH Tiranë.
-Në vitim 1980 fiton gradën Doktor i Shkencave në gjuhën angleze USH Tiranë
-Në vitin 1999 fiton gradën doktor i shkencave në Filozofi dhe Fililogji USH Tiranë
-Në vitin 1991 përfundoi studimet pasuniversitare në Sorbonë, Paris.
-Në vitim 1995 në Universitetin Medison, Wiskonsin USA fiton gradën master në gjuhën angleze.
Me këtë kualifikim profesional Ilia ka punuar, ka lektoruar në disa universitete të njohura në USA dhe në Evropë. Ndër ta po përmend: universitetin e Texas-it të Veriut- Denton; Texas, Arlington, North Lake; në Sorbonë, Paris, etj.
Veç këtij aktiviteti mësimdhënës Ilia për disa vite, 1982-1987 ka punuar në Përfaqësinë Shqiptare në OKB, si sekretarë i parë. Në vitet 1987-1992 ka punuar në Ministrinë e Jashtëme të RSH në Tiranë.
Mua nuk më habit shkalla e kualifikimit dhe profili si zyrtar i MPJ i Ilias. Unë i kam njohur me kohë këto kapacitete intelektuale të tij, sidomos në përvetësimin e gjuhës angleze. E lidh këtë aftësi të Ilias edhe me një çështje personale timen.
Në vitin 1973 Ilia,me njohjet e tij ne katedrën e gjuhës angleze, më ka mundësuar të jap provimin për gjuhën angleze pranë fakultetit të gjuhëve të huaja në USHT.
Së dyti, do të shkruaj për një fakt të panjohur deri tani as edhe nga ne shokët e tij. Për kontributin e Ilias në rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-SHBA.
Në disa shënime të tij Ilia kujton se në prill të vitit 1990,me porosi të Ramiz Alisë, i ka dorëzuar përfaqësuesit të DSH të Amerikës, Charles Moskos, në ambadadën tonë në Vienë, përgjigjen/ dakortësinë e shtetit shqiptarë/Ramiz Alisë për të filluar bisedimet për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes SHBA-ve dhe Shqipërisë.
Këtë fakt e kujton edhe vetë Charles Moskos i ngarkuar i DSH të Amerikës për të parë mundësitë e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes SHBA-ve dhe Shqipërisë. Në një dokument të nënshkruar prej tij ai thotë “ prej vitit 1984 deri në vitin 1989 unë veprova si ndërmjetës i DSH të Amerikës dhe MPJ të Shqipërisë. Kontakti im ishte z. Ilia Zhulati, i cili drejtonte zyrën që ishte ekuivalente me zyrën “Për problemet e Shqipërisë” në DSH të Amerikës.
Me kërkesë të DSH unë pata takime me z. Zhulati në New York, në Paris, në Vienë dhe në Tiranë. Kjo eventualisht çoi në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike zyrtare midis SHBA-ve dhe Shqipërisë….
Unë mund të pohoj në mënyrë afirmative se pa përpjekjet e z. Zhulati, procesi i vendosjes së marrëdhënieve midis dy vendeve do të ngadalësohej në mënyrë të ndjeshme”.
Lidhur me këtë fakt unë nuk kam patur asnjë informacion. Duke lexuar deklaratën e një zyrtari të lartë të DSH të Amerikës unë gëzohem që shoku, miku im i rinisë, i shkollave ushtarake dhe i Dzb të SHP të ushtrisë sonë, Ilia Zhulati ka punuar dhe kontribuar për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike të Shqipërisë me SHBA-të.
Shpresoj që Ilia të shkruaj për jetën dhe aktivitetin e tij në shërbimin diplomatik shqiptarë dhe sidomos për argumentin për të cilin shkruan edhe Charles Moskos. Kjo, mbase, do të ndriçonte shumëçka që është zhvilluar pas “ perdeve” të shërbimit diplomatik e që publiku shqiptarë ka shumë kuriozitet t’i njohë.
Nga një mik imi, Leonidha Lindo, kam dëgjuar se Ilia po punon për një gjë të tillë. Uroj ta përfundojë sa më shpejt.
Prej shumë vitesh Ilia, bashkë me Verën dhe fëmijët jetojnë në Amerikë.
Të përshëndes shoku, miku im i dashur.
Urimet më të mira për ju familjarisht.
Gani Elezi.
Shënim.
1.Në foton e parë Ilia Zhulati
2.Në foton e dytë- në këmbë, i dyti në të djathtën tonë, Ilia Zhulati
3.Duke menduar se nuk kam mundur t’i sjell me saktësi në shqip të dhënat e kualifikimit, karrierës dhe punës së tij kam postuar disa faksimile që e sqarojnë këtë problem.