​"NJERIU NUK MUND T'I IKË DOT KURRË VETVETES APO VENDIT NGA VJEN..."

​

ESE

Nëse ka një plagë që refuzon të mbyllet në trupin e shoqërisë shqiptare, ajo është padyshim kurbeti.

Ky fenomen ka tejkaluar prej kohësh kuadrin e një statistike të thjeshtë ekonomike, duke u kthyer në një krizë të thellë ekzistenciale. Emigracioni nuk përbën thjesht një zhvendosje fizike apo një ndryshim të koordinatave gjeografike në hartë; ai është një operacion traumatik ekzistencial, që e lë qenien njerëzore pezull në një vakum të madh mes dy botësh.

Drama e shtegtarit shqiptar buron nga tjetërsimi shpirtëror, nga një përpjekje e vazhdueshme për të negociuar vetveten mes harresës në vendin pritës dhe humbjes së vendndodhjes shpirtërore gjatë kthimit në vendlindje.

Kjo histori kolektive mbijetese ndahet historikisht në dy epoka që dhembin krejtësisht ndryshe.

Çdo gjë fillon nga eksodi i parë i madh i viteve '90, i nxitur nga një domosdoshmëri urgjente për mbijetesë fizike. Atëherë, ikja mori përmasat e një tragjedie biblike përmes gomoneve,maleve duke sakrifikuar jetën e tyre .

Ky brez i parë emigrantësh pranoi vullnetarisht anonimitetin e plotë shoqëror, nënçmimin e statusit, punën rraskapitëse fizike .

Ata u shndërruan në Sizifë modernë, që rrokullisnin çdo ditë shkëmbin e rëndë të sakrificës me shpresën e vetme se brezi pasardhës do të trashëgonte një të ardhme më të mirë.

Në atë periudhë të vështirë të humbjes së terrenit social, atdheu dhe kujtimet e lëna pas u kthyen në "shtëpinë e vetme të Qenies".

Në mungesë të një toke fizike ku ndjenin përkatësinë, ruajtja e gjuhës, e traditave dhe e zërit të nënës shërbeu si një strehë e fundit metafizike, një mbrojtje nga ftohtësia e një bote të huaj që i shihte shpesh vetëm si krah pune.

Në kontrast të plotë me atë periudhë, ku lëvizja kushtëzohej nga mungesa e bukës së gojës, emigracioni i sotëm i rinisë përfaqëson një fenomen krejtësisht më të rafinuar, por në thelb shumë më tragjik:

" Ikjen e trurit".

Rinia e sotme nuk po largohet më nga uria materiale. Ata ikin nga një uri shumë më e rrezikshme për shoqërinë :

Meritokraci! Dinjitet !

Drejtësi sociale!

Ara ndiejnë se nuk mund të projektojnë dot të ardhmen e tyre në atdhe.

Ky eksod modern përbën një ekzil të shpirtit të zhgënjyer.

Të rinjtë nisen drejt botës me diploma në xhep, me një dëshpërim të dëshpëruar, duke parë se si dija, talenti dhe potenciali i tyre nënçmohen në vendin e lindjes.

Largimi i tyre është një protestë e heshtur ndaj një sistemi që nuk u ofron asnjë hapësirë për t'u zhvilluar.

Mbi këtë bazë, të dyja epokat e emigracionit shqiptar shkrihen në një krizë të vetme ekzistenciale.

Si emigranti i vitit '90, ashtu edhe i riu i sotëm, përballen me të njëjtin paradoks identiteti që i dënon të mbeten të huaj kudo që të shkojnë.

Në dhe të huaj, sado që të integrohen, të mësojnë gjuhën apo të arrijnë suksese të larta profesionale, ata ndeshen përherë me "shikimin e Tjetrit"—atë përcaktim distancues të shoqërisë pritëse që i mban të etiketuar përjetësisht si emigrantë. Drama kulmon pikërisht kur kthehen për pushime në atdhe. Në vendlindje zbulojnë se vendi ka ecur përpara pa ta, se nuk është më muzeu i kujtimeve të tyre. Në sytë e të afërmve dhe shoqërisë këtu, ata tashmë shihen si "ata që erdhën nga jashtë", duke mbetur përgjithmonë në një hapësirë boshe mes dy brigjeve.

Këtë udhëtim të pafund dhe hije të pashmangshme të origjinës e ka përshkruar më së miri poeti Konstantin Kavafis në vargjet e tij të famshme. "Njeriu nuk mund t'i ikë dot kurrë vetvetes apo vendit nga vjen": "Ky qytet do të të ndjekë pas... Rrugët që do të bësh do të jenë po ato".

Për shqiptarët e shpërndarë nëpër botë, ky pohim merr një vlerë absolute. Sado që të përpiqen të ndërtojnë shtëpi të reja e të suksesshme nëpër metropolet e huaja, Shqipëria, prindërit që moshohen në vetmi në shtëpitë e zbrazura dhe rrugicat e fëmijërisë i ndjekin pas si një hije e pashmangshme në çdo hap. Çdo arritje në diasporë mbetet e mangët, sepse matet përherë me mungesën e asaj që u la pas. Kjo dëshmon se shpirti i shqiptarit që largohet nuk rrënjoset kurrë plotësisht diku tjetër, por mbetet përjetësisht i ndarë : mes atdheut që e lindi por nuk e mbajti dot, dhe botës që e strehoi por nuk do t'i falë kurrë një shtëpi shpirtërore.