ÇFAR THA AZIS NESINI PËR POPULLIN SHQIPTAR

Nuk e di nëse Azis Nesini e tha atë fjali.

Kjo është e gjitha.

Ose, më saktë, kjo është pikërisht arsyeja përse po shkruaj.

Takimi im letrar me shkrimtarin e njohur turk u nxit nga përkthimet e tregimeve të zgjedhura të një përkthyesi të ri, Spartak Kadiut, i cili në atë kohë nuk i kishte hequr ende brisk faqes.

Duke pranuar të luaja rolin e redaktorit të librit, u zhyta, si pa kuptuar, kokë e këmbë në detin e krijimtarisë së Azis Nesinit.

 Azis Nesini                                        

Dhe sa më shumë e njihja shkrimtarin, aq më shumë më tërhiqte njeriu.

Sepse Nesini ishte nga ata shkrimtarë që e shikonin botën jo vetëm me

sytë e shkrimtarit, por edhe me syrin e satiristit: atë sy që pasi kapin një të çarë të vogël në mur, duke e ndjekur, zbulojnë pastaj të gjithë ndërtesën.

Kur erdhi në vendin tonë, në vitin 1979, ai nuk ishte i panjohur për lexuesin shqiptar. Librat e tij ishin përkthyer e botuar. E priti Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, me Dritëro Agollin në krye, dhe revista “Hosteni”, me Niko Nikollën.

Këtu fillon edhe historia ime, por jo historia e Nesinit. Historia ime me një fjali të Nesinit.

Disa orë përpara takimit me shkrimtarët shqiptarë, Dritëro Agolli dhe Niko Nikolla e shëtitën mikun turk nëpër Tiranë.

U ulën në një kafene pranë Kafe Operës.

Nesini bisedonte përmes përkthyesit. Dëgjonte. Qeshte. Shikonte.

Dhe, siç ndodh në kafenetë shqiptare, një shkrimtar erdhi e u ul midis tyre.

Pastaj një tjetër. Pastaj edhe një tjetër.

I pari sapo kishte mbaruar një libër me mbi dyqind faqe. Nesini, natyrisht, e pyeti se për çfarë bënte fjalë libri i tij.

— Për zierjen e rakisë, — iu përgjigj menjëherë tjetri pa teklif si ishte fjala për një episod nga Lufta e Dytë botërore.

Dhe këtu filloi shpjegimi i tij i hollësishëm dhe plot pasion për “llullajën”.

“E dini ju çfarë është Llullaja, ajo rrëkeza e hollë, sa një shurrë keci i porsalindur, ndryshe rakia nuk do të dilte ballkazani, por ujë i gazuar?”

— Më besoni, — këmbënguli ai, — ja, për këta dy sy. M’u qorrofshin sytë nëse ju gënjej!

“Ja, ndërmendi  me vete Nesini,-këtë lloj betimi njerëzor,  sot nuk e gjen dot midis shkrimtarëve modernë”.

Dhe mprehu edhe më shumë vemendjen ndaj tregimeve të mysafirëve shqiptarë.

Pastaj erdhi një tjetër. Edhe ky kishte shkruar një libër. Kujtime nga ushtria. Thelbi i librit ishte i thjeshtë: Rekruti, kur ikën pa leje, mendon për shtëpinë, të dashurën, shokët, miqtë. Kur kthehet, mendon për ndëshkimin. Shkurt, një analizë psikologjike frojdiane, apo jo?!

Nesini dëgjonte.

Ndërsa i porsaardhuri i fundit,  iu drejtua Dritëroit dhe i tregoi se sapo ishte ngritur nga tryeza e punës. Kishte shkruar një tregim për revistën “Hosteni”. -Sigurisht,-pohoi ai,- një tregim me pak kripë dhe spec djegës!

Këtu Nesini,  si shkrimtar satirist,  nuk u përmbajt. Luajti vendit dhe e dëgjoi tjetrin tërë sy e veshë. U duk sikur e pushtoi një ndjenjë xhelozie, sikur tjetri i kishte hyrë në hise.

Shkrimtari i porsaardhur vijoi me seriozitet:

            — Heronjtë e tregimit tim janë dy shokë, që rrinë bashkë natë e ditë. Si i thonë,- ndajnë me njëri-tjetrin edhe kafshitën e gojës. Duke qarë hallet sëbashku, njëri prej tyre, ai që merrej me politikë, i premtoi shokut tjetër se, nëse do të fitonte zgjedhjet për kryetar bashkie i qytetit të Shkodrës, djepit të humorit shqiptar — me t’u gdhirë  e nesërmja,  do t’i gjente edhe atij një punë për të qenë.

Ndonjëherë ndodh që edhe ëndërra të bëhet realitet.

Kandidati i ri fitoi dhe, kur iu paraqit shoku i tij i pa punë, kryetari i ri, duke kruajtur kokën nga sikleti dhe telashet e mëdha me të cilat ishte përballur qysh ditën e parë në karrigen e kryetarit të bashkisë, iu drejtua i sëkëlldisur:

            — A e di çfarë ke ti? A nuk e merr më mirë këtë fshesën tek porta e  bashkisë me të cilën kanë pastruar sheshin dhe nisja menjëherë punës?

Pas dy ditësh, kryetarit të ri të bashkisë së Shkodrës i vjen një telegram urgjent:

            “Zoti Kryetar i Bashkisë! Ndodhem në Lezhë, duke vijuar punën sipas porosisë suaj. Shisa (fshesa) që më dhatë para dy ditësh firoi me kohë e vakt nga fërkimi me asfaltin. Më dërgoni një shisë të re.”

            Pa përfunduar ende përkthimin e tregimit,  Azis Nesini e kishte kapur thelbin e tregimit dhe nuk i përmbajti të qeshurat. Nuk kishte konfirmim më të madh se sa ato të qeshura plot jetë të shkrimtarit të njohur turk për kolegun e tij të panjohur shqiptar.

Mendoj se, në atë çast satiristi turk kishte filluar ta kuptonte Shqipërinë.

Jo nga fjalimet.

Jo nga raportet.

Jo nga ceremonitë.

Nga kafeja.

Nga rakia.

Nga ushtari që ikën pa leje.

Nga shkrimtarët që kishin gjithmonë nga një libër të ri në xhep.

Dhe ndoshta nga vetë fakti se, po të qëndronte edhe pak në atë tryezë, me siguri do të shfaqej edhe një shkrimtar tjetër.

Duke iu afruar orës së takimit, grupi u ngrit dhe u drejtua për në Lidhjen e Shkrimtarëve.

Pas fjalëve të mirëseardhjes e mori fjalën Nesini.

Dhe atëherë, sipas rrëfimit që ka ardhur deri tek unë, ai tha:

— I dashur dhe i shtrenjti popull mik shqiptar shkrimtar!

Kaq.

Kjo është fjalia që kërkoja.

E kërkova në gazeta.

Në revista.

Në kujtime.

Në rrëfime.

Nëpër gjurmët e asaj vizite.

Gjeta shumë gjëra.

Por jo këtë fjali.

Dhe atëherë më erdhi në mendje Huan Rulfo.

Rulfo thotë se krijuesi duhet të dijë çfarë di dhe çfarë gënjeshtrash thotë. Sepse, po hyre vetëm te e vërteta e gjërave që ke parë e dëgjuar, atëherë po bën histori ose reportazh.

Rulfo më zgjati dorën e tij bujare.

Më tha, si të ishte ulur pranë meje:

—  Vazhdo kështu,or mik!

Dhe unë vazhdova i bindur se nuk po shkruaj procesverbalin e takimit të Nesinit me shkrimtarët shqiptarë.

Po shkruaj për një fjali.

Një fjali që mund të jetë thënë.

Mund të mos jetë thënë.

Mund të jetë thënë ndryshe.

Mund të jetë dëgjuar gabim.

Mund të jetë zbukuruar gjatë rrugës.

Por, sido që të ketë ndodhur, ajo ka mbijetuar.

Dhe kjo më bën të mendoj se ndonjëherë kujtesa është një arkiv i çuditshëm.

Dokumentet mund ta humbin një fjali.

Kujtesa mund ta shpëtojë.

Dhe ja ku më del përpara përsëri ajo pamje.

Kafeneja pranë Operës.

Dritëro Agolli.

Niko Nikolla.

Azis Nesini.

Por edhe shkrimtari i rakisë.

Shkrimtari i ushtrisë.

Shkrimtari që shkruan për premtimet e përvitshme për vende të reja pune...

Edhe të tjerë që vijnë njëri pas tjetrit.

Nesini dëgjon, shikon dhe mendon.

Me siguri, ndërsa dëgjonte, njeriu që kishte  shkruar mbi njëqind libra, tani diç bluante në mendje të shkruante një tregim të vogël shqiptar.

Sepse ai e dinte më mirë se kushdo se absurdi nuk ka nevojë të shpiket.

Mjafton ta kërkosh dhe do ta gjesh diku ulur pranë teje.

Në një kafene.

Në një zyrë.

Në një repart.

Jashtë, tutje në rrugët e atdheut.

Por edhe në një tryezë shkrimtarësh.

Apo në një sallë ku një mik i huaj ngrihet për të folur.

Dhe thotë:

— I dashur dhe i shtrenjti popull mik shqiptar shkrimtar!

Pra këtë fjalinë që nuk gjeta.

Ajo që mori dhenë.

Ajo që më solli deri këtu. “No comment.”

Sepse ndoshta, në fund të fundit, nuk është aq e rëndësishme nëse Azis Nesini e tha apo nuk e tha atë fjali.

E rëndësishme është se dikush ia dhuroi atë Shqipërisë.

Dhe Shqipëria e mbajti mend.

Ndoshta kjo është arsyeja përse ajo fjali vazhdon të jetojë.

Edhe pse dokumenti mungon.

Dhe unë, vazhdoj ta kërkoj edhe pas kaq shumë vitesh.

Ndoshta kot. Por ndoshta jo edhe aq kot. Sepse siç thuhet në dialektikën e popullit tonë: Kot luaj dhe kot mos luaj! Duke lëvizur diçka to të gjesh dhe ndryshosh.

Rulfo më ka thënë tashmë të mos ndalem.

Sepse letërsia fillon pikërisht aty ku dokumenti mbaron.