tregim

Sapo prokurori dhe trupi gjykues u futën në sallë, të pranishmit u ngritën në këmbë. Kryetari i trupit gjykues pasi hapi seancēn, fjalën ia dha prokurorit të çështjes për të lexuar aktakuzën. Aktakuza përmbante shumë fletë të shkruara, por e gjitha përmblidhej në dy rreshta. "Ju i pandehur jeni shprehur se fëmijët e mi janë më të mirē se të gjermanit". Kur prokurori lexoi këto fjalë i pandehuri brofi i revoltuar në këmbë:    -Për këtë më keni arrestuar? Këtë e kam thënë dhe do t'a them përjetë, foli me zë të lartë me vështrimin që herë e kthente nga trupi gjykues, herë nga prokurori e herë nga të pranishmit në sallë.     Kyetari i trupit gjykues i tërhoqi vëmendjen për tē mos folur pa urdhër dhe ai u ul.      Prokurori mbaroi aktakuzën dhe kryetari i trupit gjykues i'u drejtua të pandehurit:      "I pandehur çohu në këmbë dhe betohu se do thuash të vërtetën dhe vetëm të vërtetën!"       Ai u ngrit i lehtësuar, pasi tashmë ishte njohur me aktakuzën dhe nuk e quante asgjë.     -E pranoj akuzën, e kam thënë dhe do ta them tërë jetën dhe nisi të shpjegojë.     Gjatë luftës po ndërtonim një urë. Punimet i drejtonte një oficer gjerman, i ri dhe i pashëm. Një ditë atij i vjen një pako dhe me pakon në dorë futet në fjetore dhe pas disa minutash del i veshur me uniforme të re fringo. Në krahun e përthyer në bërryl kishte hedhur uniformën e vjetër dhe këpucët dhe në dorën tjetër mbante një shishe me vajguri e një shkrepëse.     Kur shihja rrobat dhe këpucët në dorën e tij, dëshira ime ishte të m'i dhuronte, të paktën kēpucët, por jo, nuk qe e thënë. Ai mblodhi të gjithë punëtorët në formë gjysëm rrethi, hodhi rrobat grumbull, mbi to hodhi këpucët, i spërkati me vajguri dhe u dha flakën me shkrepse. Nga ajo ditë, unë e urrej atë. Fëmijët e mi nuk janë si ai. Fëmijët e mi pasi i veshin rrobat dhe këpucët dhe ata nuk i duan më për shkak të vjetersisë nuk i djegin si gjermani, por m'i japin mua, "merri babë, t'i gëzosh". Në sallë shpërtheu e qeshura me lot, qeshën edhe trupi gjykues. Kjo histori mu kujtua sot kur fëmijët e mi më bënë dhuratë një celular të ri dhe nuk më dhanë njërin nga ata celularët e tyre të përdorur.

Compose

Shkruaj te Imer Hysa