KRËHËRI

Autobuzi ndaloi si zakonisht në stacionin e tij. Udhëtarët që zbritën ishin një çift të moshuarish. Burri i veshur me kostum e këpucë llustrafine, në kokë mbante një kapele rrepublike. Ecte ngadalë dhe mbahej me shkop, ndërsa gruaja, ishte e veshur bukur me fustan të erret dhe mbi të kishte veshur një pulovër deve.

Dukeshin që ishin jabanxhinj. I hodhën një vështrim rrugës dhe pasi u siguruan se nuk kishte makina e prenë atë dhe dolën në krahun tjetêr të saj duke marrë drejtimin për nga shkolla. Unë isha rreth njëzet metër para tyre kur burri i moshuar mu drejtua:

   - Ju lutem zotri ka mundësi një minutë.

    - Sigurisht që po, urdhëroni.

    - Ju jeni vëndas këtu?

    - Po prej shumë brezash.

    - Kjo është shkolla e re e fshatit?

     -Po, kjo është.

     -Qenkemi vonë në kohë, foli me një ndjenjë dhembshurie.

    - Përse e keni fjalën, ka ndonjë problem?

     - Ne jemi burrë e grua dhe në rininë tonë kemi qenë mësues këtu, por shkolla e vjetër qënka prishur.

     - Eshtë bërë më e bukur e reja, është rritur ndjeshem numri i nxënësve, tashmë është shkollë e mesme, vazhdova unë në timen.

    - E shohim dhe është bërë shumë mirë, por te shkolla e vjetër kemi një kujtim të pa harruar.

     - Mbase mund tju ndihmoj unë?

    - Po ajo nuk qënka më, mu drejtua ish mësuesi, qënka ndërtuar e re.

    - Nuk është mbi themelet e të vjetrës, fola unë i lehtësuar se mund ti çliroja disi nga ai makth që i kishte mbërthyer.

    -Ne kemi lënë diçka si kujtim te ajo shkollë. Në parvazin e njërës dritare aty mbi kornizën e dritares kemi lënë një krëher..

    -Krëhër, shpreha habinë unë. Dhe për një krëhër keni marrë rrugën nga ai qytet i largët verior në këtë moshë ?!.

     E pashë në sytë e tyre mërzinë që u krijoi habia ime.

    - Po, për atë krëhër kemi ardhur. Me atë krëhër kemi krehur nxënêsit, me atë krëhër u kemi hequr edhe morrat disa nxënësve. Ishin fillimet e para të shkollës pas çlirimit dhe higjena nuk ishte si duhej.

     Shtanga. Më falni ju lutem, por kjo puna juaj paska dy të mira. E para që ju do të gjeni krëhërin tuaj dhe e dyta, në atë ndërtesë banon një familje, ajo nga dita në ditë mund ta restaurojë, po e gjeti krëhërin para jush, ajo familje do mendojë që i është bërë magji.

      Qeshën me lotë.

     - Këtë se kemi menduar ndonjëherë foli mësuesi.

     Ikëm te ish shkolla e kthyer në shtëpi banimi. Aty gjetëm vetëm të zonjën e shtëpisë. Si vendali e prezantova kush ishin miqtë dhe pse kishin ardhur. Ajo qeshi dhe i ftoi në ish klasën ku gjendej "thesari". Dritarja ishte siç kishte qenë dhe pse klasa ishte bërë dhomë gjumi.

    Mësuesi mori një shtizë që e zonja e shtëpisë thurte çorape, e futi mes murit dhe kornizës duke e rreshqitur mbi të dhe për çudinë tonë dhe kënaqësine e tyre nga aty doli një krëhër druri me dhëmbëza në të dy krahët.

Mësuesi e mori në dorë dhe nga xhepi i xhaketës nxori një shami dore të pastër dhe me të fshiu pluhurin që e kishte mbuluar krëhërin prej dhjetra vitesh. E vështroja me habi. Në sytë e tij shihja edhe dhembshuri edhe kënaqësi.

     - Kam kujtime që s'mund ti harroj, me këtë krëhër kam krehur dhjetra nxënës në vitet që isha mësues këtu. Ky krëhër është një kujtim i pa harruar.

    E shihja teksa fliste gjithë emocion. U emocionova edhe unë, por e zonja e shtëpisë, një grua e moshuar na shkundi nga kjo përhumbje në thellësinë e kujtimeve ndër vite duke na ftuar të uleshim në karriket portative pranë një tavoline druri të ndërtuar në mënyrë artizanale për të pirë kafet dhe gotat e rakisë.