Reportazh nga Kosova
Vajtja ime në Kosovë këtë pranverë plotësonte një ëndërr të hershme të rinisë time.Por mbas viteve 90 ika përfundimisht nga Shqipëria dhe u largova njëherë e mirë edhe nga trojet ku linda, por edhe nga ëndërrat e rinisë.U deshën plot 22 vjet në kohën e demokracisë që mund të udhëtoja për në trojet e të parëve tanë në Dardaninë e lashtë.Arsyet ishin botimi i librave të mi dhe të zonjës Enxhi Krasniqi nga Peja, por edhe ftesa për në takimin vjetor në kujtim të poetit të madh kombëtar, Azem Shkreli. Në këtë takim madhështor të organizuar në pallatin e kulturës së qytetit të Pejës u njohëm dhe me personalitete që i kisha ëndërruar që në fëmijërinë time, por edhe të tjerë që komunikonim prej vitesh, dhe me këtë rast patëm fatin dhe mundësinë për tu takuar nga afër, për të marrë dhe dhënë mendime, por dhe për të parashtruar organizime në të ardhmen. Në një moment të caktuar, pasi vajta me vonese në sallë, më thanë se kishte folur poeti Ali Podrimja.Salla ishte mbushur plot, sfumuar nën errësirë, ndërsa prozhektorët qëllonin në skenë, atje ku zhvillohej dhe shfaqej festa e ditës. Në sfond portreti i poetit me një buzëqeshje mikëpritëse.I afrohem pranë një burri të shëndetshëm, të mbushur dhe të gjatë në trup, e shikoja si vijëzim frymëzimi artistik.E kapa për dore dhe po matesha ti flisja.Kur ai ktheu kokën dhe mu afrua më pranë mbeta edhe i befasuar, por edhe i gëzuar. Ai që më befasoi ishte prania e artistit të dramës dhe filmave tanë të mrekullushëm, Timo Flloko. Përqafohemi për momentin, dhe e pyes: -Ku eshte ulur poeti Ali Podrimja? Timo me ate natyren e tij gazmore më tregon me dorë në thellësi të rrjeshtave. Unë ngrita aparatin dhe e fokusova, e prura pranë, dhe e shkrepa disa herë.Ky ishte takimi im i parë me të në kohën e demokracisë, pas atij takimi kur isha 25 vjeçar dhe e takova Ali Podrimjen në Tiranë me poetin tonë të njohur Xhevahir Spahiu, pas një botimi që kishte bërë me poetet nga Kosova, për tja lënë me pas vëndin një takimi tjetër në lokalin e teatrit.Biseda me motrat Drita dhe Enxhi Krasniqi si dhe me poetin e mirënjohur ishte e këndshme mbresëlënëse, e thjeshtë dhe shumë e thjeshtë.Poeti, ashtu si janë në të vërtetë poetët e mëdhej si Ali Podrimja, ishte i veshur i tëri me metaforën e humorit, bukurisë së artit të tij, por edhe me melodinë e zerit të akorduar me kujdes për koncertin e miqëve.Më pyeti për mikun e tij Iliaz Bobaj, dhe për librin që ai ka përkthyer në gjuhën greke.Për planet e mia krijuese.Në një bisedë tejet vëllazërore, duke sheshuar dhe prishur gardhin e emrit të tij me lexuesin, dhe duke ngritur një urë miqësie që artistët e medhej si vetë Aliu e kanë në shpirt e në gjak, por edhe në artin e tyre madhështor. Më pas i dhurova një nga librat e mi të botuar me përkthime nga vepra e poetit të madh grek Jani Rico, në shtëpinë e të cilit jetoj prej 22 vjetësh, dhe që është publikuar me rastin e 100 vjetorit të lindjes së autorit grek.U ndamë me të për tu takuar përsëri.Por më pas dita jonë ishte e ngarkuar me takime.Mbasi pimë një kafe me shkrimtarin Sejdi Berisha, kaluam diku tjetër me poetin Agim Desku.Më pas me piktorë e muzikante të gjithë së bashku në njërin nga lokalet e qytetit të shtruar nga bashkia e qytetit për nder të poetit Azem Shkreli.Mbasditja ishte e shoqëruar me shi, por duke e ditur se kohëqëndrimi im ishte i kufizuar, zonjat Enxhi dhe zonjusha Drita Krasniqi më shoqëruan për në një vizitë në grykë derdhjen e lumit Drin. Në një vënd tepër piktoresk, dhe gati përrallor me lokale bashkëkohore, në një pejsazh tepër gjelbërues dhe romantik. Pronarët e lokalit duke parë që nuk kishim dhe çadra dolën jashtë me çadrat e tyre dhe na shoqëruan të hynim brënda.U ndjeva mire.Kjo ishte një mikpritje që do më mbetet në mëndje nga kjo trevë që ka në traditën e saj respektin e trasheguar në shekuj për mikun. Në lokalin që u ulëm, nga xhamaria derdhej përveç ujit të shiut ishte edhe ujët qe e kishin marrë me tuba nga rrjedhja e lirë e Drinit dhe e derdhnin mbi çati.Rrjedha e ujit që binte nga lart si flokë të derdhur e të pa krehur, kishte dhe muzikalitetin, por dhe një bukuri të veçantë.Këtu biseda u përqëndrua në përpjekjet e Kosovës dhe kosovarëve për pavarsi.Drita, me ato mollzat e rrumbullakta, sytë zhbirues, por dhe me diksionin e pastër dhe shumë gazmor mu kthye në një cicerone që më tregonte, ngjarjet, vitet, historinë.Po e shikoja që fliste me pasjon ndaj e pyeta: -Cila është puna juaj? Ajo hodhi sytë jashtë, e lau përgjigjen në ujët e kristaltë të shiut, i veshi gjelbërimin e bukur të bjeshkës dhe ma ktheu në tryezë: -Jam Kordinatore e Mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut në Kosovë, por dhe në bashkpunim me organizatat ndërkombëtare. Filloi të fliste për punën e saj, për ngjarjet rrënqethese, për ato që kishte parë, dëgjuar dhe filmuar vetë me duart, aparatin, sytë dhe mëndjen e saj.Ndër të tjera më befasoi kur më tregoi për mijra dosje që ndodheshin në zyrën e saj, dhe unë kërkova që të shkonim dhe ti shikonim, por dhe ti filmoja për ti pasur si dokument në shkrimet e mia. Ndërsa isha i përhumbur në ato që ajo me tregonte, në masakra dhe vrasje masive, ajo më ndërpreu: -Shiu pushoi! Eja ta shijojmë derdhjen e Drinit, dhe më pas shkojmë edhe në zyrën time, sepse edhe çelsin e kam me vete, dhe qeshi për ti dhënë ngjyra gazmore bisedës, por dhe për tu larguar nga ato që ajo me tregoi dhe që me drithëruan të tërin. Vetë fjala derdhje jep kuptimin e bukurisë përrallore të këtij lumi. Në mes të grykës së malit si një vullkan apo shatërvan i madh del me furi dhe me zhurmë lumi nga nëntoka.Ngjet se vetë shpirti i këtij kombi del nga thellësia dhe derdhet grykave të maleve por dhe fushave, për të derdhur vuajtjen dhe gëzimin në detin e madh të botës në Adriatik.Bashkohet gjatë rrugës me përrenj e burime, me lumënj të tjerë për ta bërë thirrjen më të fuqishme, më bindëse dhe me të fortë përpara botës, për pavarsinë, bukurinë, hijeshinë por dhe zërin e bukur. Me këtë ndjenjë gëzimi dhe shije të natyrës u nisëm për në zyrën e Dritës brënda në qytetin e Pejës.
ATJE KU FLET E DREJTA DHE DHIMBJA NJERËZORE
Ngjitëm ngadalë shkallët dhe u gjëndëm përpara derës së zyrës.Drita futin çelsin në brave dhe e rrotulloi dy herë.Më ngjau se krëkëllima e përvuajtshme e derës dhe cingërima e menteshave të saj po na fuste në një botë tjetër.Kaluam nga ajo e gëzushmja e sotme e Kosovës, në botën e dhimbjes se djeshm, por që ende thërriste për drejtësi, shpagim por dhe për paqe. Dritës gazmore të orëve të më parshme ju vesh një perde e hirtë si në të mëndafshtë në sytë e bukur të mbuluar nga flokët e verdhë e të drejtë: -Këtu në këtë zyrë, më tha, jetojnë 13 mijë të vrarë, të zhdukur, të të gjitha moshave, dhe të të gjitha keqtrajtimeve më çnjerëzorë të këtij fillim shekulli! Në shpirtin e saj pashë dhe kuptova dhimbjen, por edhe zërin që i dridhej. -Unë, më tha, jetoj me këta njerëz prej vitesh, i njoh, i prek, flas me ta ashtu si flisni ju me mua në këto çaste.Njoh jetën e sejcilit, ëndërrat e tyre, dhimbjet dhe gëzimet e tyre. U rrënqetha nga faktet e saj.Gjatë luftës çlirimtare në Shqipëri kishim 28 mijë të vrarë, por këto shifra të saj ishin të pa besushme për një shtet të vogël si Kosova, por dhe në kushtet e këtij shekulli ku kultura, shkenca dhe mirëkuptimi njerëzor kanë arritur maja.Hapi një sirtar dhe me nxori një dosje të madhe, në të dukeshin fotot të cilat që në vështrimin e parë me bënë ti ktheja sytë nga ana tjetër.Dy vetë të masakruar në menyrën më çnjerëzore. Motres së saj Enxhit ju morën mënte dhe u ul në karrigen me të afërt.Unë nxora aparatin, për ti bërë këto foto pjesë të reportazhit tim, pas asaj dosje me dhjetra të tjera, dhe pas atyre po të tjera.Ngjiste se ishim në burg të pafund padrejtësie dhe dëgjoja zëra për drejtësi.Zëra që thërrisnin dhe kërkonin nga të gjallët drejtësinë për të vdekurit në menyrën me çnjerëzore.I thërrisnin gjyqit të Hagës, si më tha Drita, por këto dosje preheshin edhe atje në padrejtësi.Unë e kuptova dhimbjen e Dritës dhe të mijra Kosovarëve, dhe thirrjet e tyre për drejtësi, por edhe bota e quan të parakoheshme nxjerrjen në shesh të së vërtetës në këto kohra kur me shumë se kurrë kërkohet paqja. -Bota hesht, tha Drita, por dhe paqe nuk mund të ketë pa dalur e vërteta për këta mijra njerëz.Pastaj me tregonte ngjarje nga lufta, përpjekjet dhe rreziqet që kishte për veten dhe bashkëpuntorët e saj.Atë luftë kolosale për të prurë nga e vërteta në teren në këtë zyrë dokumentet, fotografitë, ngjarjet, për ti arshivuar që të mos humbasin, dhe që historisë ti flasin në të gjitha kohrat, për të gjitha padrejtësitë e bëra. Për një moment e humba durimin dhe hodha sytë në një foto, nga ku bashkëpuntorët e saj nxirrnin nga një pus dhjetra të masakruar, i fotografonin, dhe i përcillnin për egzaminim. -Se shpejti po perdoret dhe Dienej për të bërë të njohur me mirë dhe me egzaktësi emrat e tyre, shton Drita.Pasi në Beograd nga zona jonë janë gjetur dhe zbuluar varre të përbashkët, që pasi janë egzekutuar në Pejë dhe rrethinat e saj, janë transportuar për në në Serbi.Është për tu çuditur por, në çdo vrasje masive, ka shpëtuar një ose dy vetë, të cilët vrasësit i kanë quajtur të vdekur, dhe sot ata jetojnë, flasin, njohin, dhe tregojnë me emër dhe me gisht xhelatët. Në fshatin e Gjakoves, brënda një dite janë vrarë më shumë se 80 vetë.Në fakt kur udhëtoja për në Pejë i filmova varrezat masive në buzë të rrugës.Më pas Drita më foli dhe për një ngjarje të rrallë dashurie ndërmjet të ekzekutuarve, të cilës mendoj që së shpejti ta kthej në një vepër artistiko – tragjike. Në fund të tronditur u ngritëm për të dalë.Drita mbylli derën me çelës, por mua mu duk se zërat e tyre, thirrjet vazhdonin dhe protestonin brënda.Qëndrova pak si për të dalluar veçorinë e ndonjërit prej tyre, por ato ishin kthyer në një lumë të madh që nuk i vihej pritë.Më ngjiste se më thërrisnin edhe mua; “Drejtësi, ejjjjjjj, ti që dëgjove dhimbjen tonë, shkruaj, kërko edhe ti të drejtën, sepse për ndryshe nuk do mund të tretemi edhe atje ku jemi si trupa, por edhe këtu ku kërkojmë të drejtën.Vetëm drita e së vërtetës na preh në paqe, në atë paqe që kerkuam, por që ju nuk do mund ta gëzoni pa prehjen tonë në paqe”. Ktheva shpinën nga dera, u nisa me hapa të ngadaltë si në mëdyshje, ikja në të vërtetë, por u betova në heshtje se fjalën e tyre për drejtësi do ta përcjell larg dhe lart, atje ku zëri i tyre thërret për drejtësi, dhe gjyqi merr vendime për të dalur në shesh e vërteta, dhe për të dënuar gjakatarët, të cilët nuk do ti shpëtojnë drejtësisë, dhe nuk duhet të lihet pa u dënuar vepra e tyre makabre. Motrat Krasniqi më pane dhe kuptuan që po flisja me vete, më shtrinë duart e tyre të mirësisë, për të iku për momentin nga gjëndja që na kishte përshkuar që të treve.Por unë megjithse po largohesha e dija se do kthehem përsëri pranë tyre…
Pejë...25.5.2012





