Poezitë e tij, interpretuar nga Alma Mehmeti
Nënë Gji-lana (Gjilan)
Për çfarë flitet
Poezia i kushtohet figurës mitike dhe historike të nënës dardane në trevën e Gjilanit, e cila rriti breza luftëtarësh për mbrojtjen dhe lirinë e vendit. Përmes vargjeve evokohet kujtimi i figurave të njohura si Idriz Seferi dhe Kadri Zeka, të cilët u mëkuan në këto troje me dashurinë për atdheun. Peizazhet e Vitisë, Malishevës dhe rrjedhës së Moravës ndërthuren ngushtë me sakrificat e nënave dhe motrave shqiptare. Kjo vepër e shndërron amësinë dhe përkushtimin heroik në një legjendë të gjallë që trashëgohet brez pas brezi.
Kapitujt
Transkripti
(Muzikë)
Recituesja
Ish një nënë dhe ish një motër, shpirtin lumë, flokët ar. Rrinte në shtëpi e votër, nëna e mbretit Longar. Kush s'e di do ta mësojë historinë e saj të lashtë, nëpër shekuj gojë më gojë, ç'kishte në shpirt e nxirrte jashtë. Nënë Gjilania me dhjetë djem, me dhjetë trima kordhëtarë, nëpër natë gjumë nuk flenë, xinxëllojnë në bjeshkë dhe arë. Nëpër fushën e Vitisë, nëpër lumin e Ibrit, djalit seç i jepte sisë dhe blerimin e livadhit. Nëpër rrjedhën e Moravës, në Malishevë, në Luginë, rrëmbente sytë e valës dhe me të e lante gjinë. Lante gjinë mbushur qumësht, kthehej dhe i jepte djalit, pastaj ndiqte veç lirinë, nëpër gjurmë të vetë kalit. Hapi i saj i madh, i gjatë, një në breg, një në lëndinë, nëpër gjelbërim dhe flakë ndiqte, shkruante historinë. Nëna ecte, nëna rente, djali i etur pinte sisë, nëna ecte për të gjetur vetë heronjtë e lirisë. Sisa rridhte dhe pikonte, hapi shkelte nëpër shpate, këtu ngrysej, atje agonte, hëna fshehur pas lofate. Qumështi binte në një arë, bëhej pemë, pishë, lis. Sisa e mirë e luftëtarë kishte mbjellë plis më plis. Nëpër akte djali pinte sisën tënde larë me ar, nëna vraponte të vinte dhe të lindte prapë djalë. Prapë djalë e prapë trim, sise e saj me hënë lart, Dardania për luftim donte djem për shpatë dhe ar. Sisën lante në një lumë, në burim me ujë të lehtë, dhe me miell bënte brumë, bukë dardane veç për djemtë. Dhe pas nënës mijëra gra nxirrnin sisët, gjokset lanin, plot me ëndrra të mëdha, ndiqnin pas nënë Gjilanin. Ditët iknin, sisat rridhnin nëpër troje, nëpër male, arat, fushat rreth i mblidhnin që të shtonin luftëtarët. Gjithë burimet rreth Gjilanit, Malishevës dhe Budrigës, është qumështi i nënë Gjilanit, mbushur me mushtin e stinës. Në këtë sisë, në këto troje, piu sisë Idriz Seferi, pati shtroje e mbuloje që e ruanin nga therri. Sisë e bukur, kodër-hënë, ku piu dhe Kadri Zeka, me dashurinë që jep çdo nënë, për liri ka vlerë dhe vdekja. Sisë e nënës manushaqe, me aromë si sumbull vese, shuan hakmarrje dhe gjaqe, fal të bukurat mëngjese. Sisë e nënës, sisë e motrës që rrjedh, vjen prej historisë, ka brenda peshën e votrës dhe lindjen e dashurisë. Pse tronditesh sot te portë, nënë Gjilane, ç'u kujtua? Qumështin tënd nëpër aortë e kanë të gjithë vajzat e tua. Gjithë motrat, gjithë nënat, legjendën tënde e dinë, ndaj nxjerrin sisën si hëna dhe mëkojnë historinë. Gjakun edhe qumështin tuaj, marrin brezave ua çojnë, dëshirën të mos e shuajnë dhe lirinë ta trashëgojnë. Nënë Gjilane, nënë dardane, trima tunde nëpër djepa, era fryn nga Kasajane, histori këndon shkrepa. Sisa jote argjend, larë me blerim të Vitisë, mbeti legjendë dhe këngë në muze të historisë.
(Muzikë)
