tregim
Nëna tërhiqte djalin e saj për dore të cilit herë pas here i tërhiqnin vëmendje objekte të ndryshme, apo dhe makina aq shumë të dëshiruara për të.
Ajo i shtrëngonte dorën me kujdes dhe e kujtonte se duhej të shihte rrugën drejt. Por edhe nëna binte herë pas herë në mendime dhe i kujtohej fletorja e matematikës së të birit ku kishte zgjidhur saktë ushtrimet, por stilolapsi kishte lëshuar pak bojë më tepër, apo viza që tregon përfundimin, ishte ndezur pak më shumë. Mësuesja nuk kishte gjetur asnjë gabim e megjithatë vlerësimi ishte; “Mjaftueshëm”. Tek kishte parë atë detyrë dhe sytë e pafajshëm të të birit , e përqafon atë dhe i thotë se herë tjetër duhet të shkruajë më pastër.
Por atë ditë e kishte thirrur vetë mësuesja, prandaj ata tani ishin të dy për dore drejt rrugës së shkollës.
Nëna u afrua drejt mësueses. Gjithnjë kishte patur bezdi të zgjaste dorën vetë e para. Do t’i pëlqente që takimi i duarve të ishte i përbashkët .
- Jam nëna e …
- Ë, po…,- i tha mësuesja , të tha ai ,- dhe nuk e përmend emrin e djalit fare. - Ka rënë fare nga mësimet, është i ngathët, lexon keq, është i pasaktë, - nuk e shikon nënën në sy fare, fytyrën e mban nga nxënësit të cilët janë bërë gati për t’u futur në shkollë dhe kështu niset bashkë me ta.
Nëna ndihet keq. Gjithçka që ajo kishte menduar të bisedonte me mësuesen u shemb si kalate prej rëre që ndërtonte i biri anës detit.
Atëhere këmbët e çuan pas mësueses e ndërkaq ajo ecte në punë të saj duke shoqëruar nxënësit.
Diçka i thoshte të kthehej pas e ta linte atë mësuese në botën e saj, por ajo donte t’i fliste, t’i thoshte se djali i saj kishte qenë dy javë i sëmurë dhe kjo e bën më të ngathët, t’i thoshte se faqet e dosjes që ajo kishte korrigjuar nuk kishin asnjë gabim, t’i thoshte…
Dhe kështu vendosi t’ia thoshte në ecje e sipër duke menduar njëkohësisht për shumë gjëra. Pozicion i papërshtatshëm e megjithatë po e bënte. Duke folur me mësuesen njëkohësisht mendonte se nuk duhej ta bënte atë bisedë në sy të fëmijëve dhe prapë vazhdonte të fliste me fjalë, fjalë të renditura jo në formën e bashkëbisedimit , por shumë shpejt gjithçka degjeneroi në një debat të pakëndshëm .
Mësuesja filloi të bëritiste dhe ta akuzonte si nënë “ambicioze” hapte dyert e dollapeve nga të cilët dilnin mjete me rrëmujë e binin ne tokë. Thoshte se po nuk i pëlqente ajo, mund ta hiqte djalin nga klasa, thoshte se kishte 16 vjet punë dhe u binte supeve të cilat e kishin mbajtur dhe nderuar në përvojën e saj. Pastaj filloi të shkonte tek koleget e të tregonte se ç’i kishte ndodhur me një “nënë ambicioze”
E mbetur vetëm në klasë, në mes të nxënësve, e hutuar, pa mundur që të shohë në sy të birin, doli nga shkolla me kokën ulur duke menduar për veten, për djalin, për mësuesen.
Kjo ishte hera e dytë që e takonte.
Djali ishte i ri në atë klasë dhe ditën e parë të shkollës nga emocionet nuk kishte mundur ta gjente fletoren e detyrave dhe mësuesja e kishte mbajtur në klasë për t’i bërë.
Nëna e mori si tani për dore dhe i tha mësueses se ai i kishte bërë po nuk i gjente dot .
Por përgjigjja ishte kjo:
- Nuk e di , nuk i pashë, brenda një nate mund të ndodhin çudira.
Mësuesja dyshoi në ndërgjegjen e nënës …
Po si mund të gënjente nëna në sy të djalit? Po qe se ai nuk i kishte bërë vërtet ajo po e mësonte vet të gënjente?!
Po kjo mësuese “nënë” a do ta bënte vet këtë për djalin e saj?
- Unë nuk nuk të njoh; s’e di se ç’mund të bësh ti, - kishte vazhduar ajo.
Por edhe sikur të mos më njohësh moj mësuese bëj sikur më njeh. Mos i fyej prindërit qofshin ata edhe dyshues. Ndryshoji ti ata me fjalën tënde, me veprën tënde.
Këto mendonte tek kthehej në shtëpi, por sigurisht që djalin dhe mësuesen nuk i harroi.
“Si ndihej djali në ato çaste. Edhe mësuesja duhej të ndihej keq e prapë duhej të mësonte 38 nxënës.”
Orët kaluan detyrimisht. Djali u kthye në shtëpi. Ishte i gëzuar. Në klasë kishte kaluar mirë por…
- Mami kur flisnit ju të dyja më vinte të thërrisja: “Mjaft!”
- Për kë u ndjeve më keq, - i tha ajo.
- Për të dyja se të dyjave ju dua shumë, - tha ai.
Iu mblodh një lëmsh në grykë, në shpirt iu këput diçka. E futi djalin brenda vetes dhe e shtëngoi fort…




